Para disa javësh nga Prokuroria Speciale u arrestua serbi, Dragisha Milenkoviq i cili dyshohet se sa ishte gardian i burgut kishte kryer krime lufte. E një nga ish – të burgosurit që kishte përjetuar dhunë nga ky i fundit, ka rrëfyer për televizionin torturat e pësuara.
Por, Milenkoviq nuk ishte i vetmi meqë edhe gardianë tjerë kishin keqtrajtuar të burgosurit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Milenkoviq dyshohet se gjatë periudhës sa ishte gardian i burgut në Prishtinë kishte maltretuar ish-të burgosur politikë të asaj kohe.
Por, cilat janë torturat e tij ndaj ish-këtyre të burgosurve të asaj kohe në Prishtinë?
Demir Limaj, ish i burgosur thotë se Milenkoviq ka qenë vetëm njëri nga shumë gardianë të burgut që kishin ushtruar dhunë ndaj të burgosurve politikë.
Madje, ai i ka ende të freskëta disa nga torturat që iu kishin shkaktuar atij dhe shokëve të tjerë të dhomave të këtij burgu.
Limaj thotë se për të gjitha këto, asnjëherë nuk janë ftuar nga institucionet e drejtësisë për t’i dhënë dëshmitë për përjetimet e tyre.
Por jo vetëm Milenkoviq.
Të burgosurit ishin keqtrajtuar edhe nga gardianët tjerë serb.
Sadik Zeqiri, i cili kishte qenë i burgosur në Lipjan tregon disa momente të torturave që iu kishin shkaktuar nga gardianët e këtyre burgjeve famëkeqe.
Ai ka një kërkesë ndaj instititucioneve për hetimin e këtyre krimeve të luftës së fundit në Kosovë.
Televizioni ka kërkuar nga Prokuroria Speciale informata për hapat e ndërmarrë rreth krimeve të luftës në Kosovës, por që përkundër pritjes për më shumë se një javë, nuk ka pasur përgjigje.