Xheneti është një vendbanim, të cilin Allahu e ka përgatitur për ata të cilët i binden Atij. Në të, për robërit e Tij, Ai ka përgatitur mirësi, atë që syri nuk e ka parë, kurrë; atë për të cilën veshi nuk ka dëgjuar dhe që nuk i ka shkuar ndërmend, kurrë.
Allahu i lartësuar thotë:”Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit, si shpërblim për çfarë ata punuan” (Sexhde, 17).Ndërtesat janë të ndërtuara prej tjegullave të floririt dhe argjendit. Llaçi i tij lëshon një erë shumë të fortë parfumi. Guralecët janë merxhan dhe rubin.
Dheu i tij ka ngjyrë shafrani. Vërtet, në të është një pemë, nën hijen e të cilës kalëruesi ecën njëqind vite dhe nuk e kalon. Në xhenet ka njëqind shkallë (gradë). Distanca, në mes dy shkallëve, është sa largësia e qiellit nga toka. Shkalla më e lartë është Firdewsi. Prej tij vërshojnë lumenjtë e xhenetit.
Lumenj të kthjellët, lumenj nga qumështi, shija e të cilëve nuk ka ndryshuar; lumenj nga vera, që është e këndshme për ata që e pinë, dhe lumenj nga mjalti i kulluar. Banorët e xhenetit do të shndrisin si hëna e plotë, në natën e bedrit. Ushqim i tyre janë frutat, të cilat mund t’i zgjedhin, dhe mishi i zogjve, të cilin ua ka ënda. Pije e tyre është vera e përzier me kamfur [1] dhe xhenxhefil [2]. Atje, ata as nuk do të pështyjnë, as nuk do të fryjnë hundë, as nuk do të kryejnë nevojën dhe as nuk do të urinojnë. Nevoja e ndonjërit prej tyre është gogësima dhe djersët që lëshojnë erë misku.
Enët i kanë nga ari dhe argjendi, të cilat shkëlqejnë si qelqi. Rrobat e tyre do të jenë nga mëndafshi. Do të stolisen me byzylykë ari dhe merxhani. Do të kenë shtretër të vijëzuar, me mëndafsh e brokadë. Çdonjëri prej tyre do t’i ketë dy gra nga hyritë, të cilave, nga bukuria (e rrallë), u duket palca e kockës (në këmbë), tejpërtej mishit. Sikur ndonjëra prej tyre t’u shfaqej banorëve të tokës, do ta shndriste këtë botë, do ta mbushte me erë hapësirën në mes qiellit dhe tokës, dhe do ta fikte dritën e diellit.
Vendi sa zë një kamxhik, në xhenet, është më i mirë se kjo botë me gjithçka ka në të. Kënaqësia më e madhe e banorëve të xhenetit është kur Allahu t’u lejojë nga kënaqësitë e Tij, të përgatitura për ta. Kulmi i kënaqësisë është një ditë që, si shtesë, do të kenë vizitën e të Madhërishmit, të Lavdëruarit. Ndërsa fundi i të gjitha begative është shikimi në Fytyrën e Tij fisnike. Kur ata e shijojnë këtë, harrojnë të mirat në të cilat ishin. Ky është caku, për të cilin përpiqen ata që duan të jenë të përpjekur (të nxitojnë, me padurim, në bindje dhe përkushtim ndaj Allahut), dhe për këtë le të punojnë punëtorët.
Autorë:Musaid bin Sad el-Huxhejli
Ahmed bin Rashid e-Rruhejli
*Fusnota
[1] Lëndë kimike, e bardhë, e kristaltë, me erë të fortë, që nxirret kryesisht nga një lloj druri, me fletë si dafina, dhe që përdoret, sidomos, në mjekësi, si nxitës i sistemit nervor.(f.gj.sh. faq.542)[2] Bimë barishtore shumëvjeçare e vendeve të nxehta, me gjethe si heshta e me lule të verdha, rizomat e së cilës kanë një lloj vaji dhe përdoren të thara, për t’u dhënë erë të mirë pijeve, gatesave etj.(f.gj.sh. faq:1484)