A duhet të dëgjojë nënën apo nusen kë të zgjedh?
Nëna ime jeton pranë meje dhe unë i blej disa gjëra të veçanta për të, por gruaja ime bëhet xheloze nga kjo gjë?
Le të bëhet xheloze, le të mërzitet, sepse kjo është detyra jote ndaj nënës tënde dhe gruaja ska të drejtë të ndërhyjë, por ti je përgjegjës për nënën tënde. Çështë kjo grua që ndërhyn ndërmjet nënës dhe fëmijës së saj! Cila është kjo grua që ndërhyn, ndaj nënës, dashurisë, butësisë dhe mëshirës së saj, e cila vuajti me ty në shtatzani dhe në lindje! Një grua e tillë është xhahile (injorante). Nuk gjeti kjo grua hapësirë për të xhelozuar vetëm se ndërmjet djalit dhe nënës së tij! Disa dijetarë thonë se kjo gjë nuk është xhelozi, por çmenduri.
Askujt nuk i lejohet të xhelozojë nënën me fëmijën e saj apo babain me fëmijën e tij. Detyrimet ndaj nënës janë madhore dhe gruaja duhet ta dijë se lumturia e burrit të saj është në bamirësinë e tij ndaj nënës. E nëse ajo ndërhyn ndërmjet bamirësisë së fëmijës me nënën e tij, atëherë mjerë për të nga Allahu, sepse kjo është luftë që e bën shejtani me fëmijën besimtar të sjellshëm ndaj prindërve të tij, duke përdorur gruan e tij. Kjo është çmenduri dhe jo xhelozi. Muslimani duhet ti frikësohet Allahut në detyrimet që ka ndaj nënës. Sillu mirë me nënën tënde përpara se ajo të largohet dhe të qash plot pishmane. Mos mendo se çfarë do të thotë gruaja, fëmijët apo shokët e tu kur të sillesh mirë me prindërit e tu. Kujto se sa detyrime mund ti kesh lënë pa realizuar ndaj prindërve të tu. Betohem në Allahun se do të qash me plot pishmane kur ata të arrijnë pleqërinë apo të vdesin për çdo mangësi dhe sjellje jo të mirë ndaj tyre. Mos harro, kjo është nëna jote për të cilën Profeti alejhi selam ka thënë: “ Qëndro nën këmbët e saj, se aty është Xheneti!”, pra ky Xhenet për të cilin u derdh gjaku i dëshmorëve dhe gjëmuan fjalët e dijetarëve është pikërisht në këmbët e nënës, e pastaj thua se gruaja ime ka xhelozi! Qëndro pranë këmbëve të saj. Betohem në Allahun, nëse do të meditosh në këto fjalë do të mahnitesh dhe zemra do të fluturojë. Nuk tha Profeti alejhi selam:
Bindju dhe përmbush nevojat e saj, kurrë nuk e tha këtë. Një person tha: O i Dërguari i Allahut kam ardhur nga Jemeni të të japë ty besën për hixhret dhe luftë? Ai i Tha: A është gjallë nëna jotë? Tha: Po. Tha Profeti alejhi selam: Atëherë shko tek ajo dhe qëndro në këmbët e saj se aty është Xheneti!” Çfarë do të thotë: “Qëndro në këmbët e saj”? Do të thotë të qëndrosh me përulje pranë saj.
Nuk është vetëm Kurani që urdhëron për sjellje të mirë me prindërit, por edhe Suneti. Allahu i Lartësuar thotë: “ Shtrije krahun tënd me përulje drejt tyre!”, pra tha: me përulje, e po kështu edhe në Sunet: Qëndro me përulje në këmbët e saj, se aty është Xheneti, pra Xhenti i Allahut që ka një çmim shumë të shtrenjtë është pikërisht në këmbët e nënës. Pra ti je në Xhenet për aq kohë sa rreh zemra e nënës dhe shpirti është në trupin e saj. Arrije këtë mundësi përpara se të të ikë dhe të qash me plot pishmane. Qepe atë gojë që ndërhyn ndërmjet teje dhe bamirësisë me nënën tënde. Bëje të shurdhër veshin ndaj atij që të flet për të mos përmbushur detyrimet dhe sjelljen e mirë ndaj nënës tënde. Thuaji që në këtë moment gruas tënde: Kujdes, të mos e hapësh gojën për diçka të keqe ndërmjet meje dhe nënës time dhe kujdes, të mos më pengosh në sjelljen e mirë dhe bamirësinë me nënën time!
Kjo është detyra që ti ke ndaj nënës. A e njeh me të vërtetë peshën e madhe të këtij detyrimi? Çfarëdo që të bësh e të shpenzosh për të, ti nuk mund ta shlyesh përkujdesjen e nënës. Nëse do të shohësh me vëmendje argumentet e shumta të Kuranit dhe Sunetit do ti gjesh ato ti japin përparësi prindërve dhe detyrimeve ndaj tyre. Vërtet burri ka detyrime ndaj gruas së tij, por jo ti japë përparësi asaj ndaj prindërve. Nëse prindi të kërkon për një punë dhe gruaja jote të thotë: Çështë ky prind që nuk të lë të rrish me ne?! Thuaji asaj: Pusho, sepse ky është babai im, nëna ime. Është Xheneti ose Zjarri im, prandaj mos fol për prindërit e mi! Që në momentin e parë ta ndalosh atë të flasë! Sa herë që dikush, gruaja ose një shok ndërhyn ndërmjet teje dhe prindërve të tu, që në momentin e parë ndaloje atë të flasë dhe vëri kufij atij, duke i thënë: Fol për çdo gjë ndërmjet nesh, por jo për prindërit e mi! Kujdes, mos më kërko të pakësoj shërbimin ndaj tyre!
Unë (shejhu) e këshilloj një grua të tillë që ti frikësohet Allahut për këtë sjellje me burrin e saj!
Dikur gruaja sillej me nënën e burrit të saj si të ishte nëna e saj, i shërbente, e nderonte, e respektonte dhe kjo është sjellja e grave të devotshme, të cilat e konsiderojnë si shërbim ndaj burrit sjelljen e mirë me prindërit e tij. Gruaja e devotshme e përkrah burrin dhe e shtyn atë të sillet sa më mirë me nënën e tij. E nëse ai vjen nga prindërit e tij dhe është i lodhur ajo duhet ti thotë: Përgëzohu, sepse ti po vjen tek unë nga Xheneti yt, sepse nëse ti përmbush nevojat e nënës tënde, atëherë do të përmbushen edhe nevojat tona.”
Allahu i Madhëruar i jep bereqet robit që i bindet në familjen, punën dhe pasurinë e tij. Por nëse është një grua e devotshme vetëm me fjalë dhe xhelozon sa herë që të thërret ty nëna jote, kjo nuk është xhelozi, por çmenduri. Kujdes mos e lër dashurinë për gruan dhe fëmijët e tu që të pengojë nga bamirësia dhe të jetë mbi dashurinë për prindërit e tu!
E lusim Allahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të përsosura që ti shpërblejë prindërit tanë me shpërblimet më të mira dhe ne të na shpërblejë me shpërblimin më të mirë të fëmijës së sjellshëm!