Në rrjetet sociale janë publikuar pamjet që tregojnë momentin kur makina Range Rover brenda së cilës ndodheshin 4 të rinj, shpërthen në flakë pas aksidentit tragjik.
Pamjet i përkasin ngjarjes së ndodhur gjatë orëve të natës të së shtunës në Limbiate, të Monza të Italisë. Ato janë publikuar në TikTok nga një person që duket se ndodhej në vendin ku ndodhi ngjarja, pak çaste pasi makina ishte përfshirë nga flakët.
Nga ngjarja humbi tragjikisht jetën 22-vjeçari shqiptar Arnold Selishta (Lexo më shumë). Ndërsa të plagosur mbetën 2 pasagjerët e tjerë në mjet, të moshës 18 dhe 23 vjeç. Autoritetet italiane kanë ndaluar shoferin e Range-it, i cili u largua nga vendi i ngjarjes për t’u identifikuar disa orë më pas. Mediat italiane shkruajnë se ai ishte kushëri me viktimën Selishta.
Në foto viktima, Arnold Selishta
Teksa hetimet për aksidentin e rëndë vijojnë, ajo që dihet deri më tani është se pas një mbrëmje në një lokal të zonës, grupi i të rinjve të moshës 18-23 vjeç, hipën në dy makina, një Range Rover dhe një BMW M8. Rrugës dyshohet se nisën të bënin garë me njëri-tjetrin, me shpejtësi të madhe. Në një moment, shoferi i Range-it humbi kontrollin dhe u rrotullua disa herë në rrugë duke shpërthyer më pas në flakë.
22-vjeçari shqiptar mbeti i bllokuar brenda në mjet derisa mbërritën shërbimet e zjarrfikëses. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spital ku dhe ndërroi jetë. Dy të rinjtë e tjerë mbetën të plagosur, por pa rrezik për jetën./tvklan.al