Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila u la jashtë Kryesisë së PL-së, është shprehur se nuk do të krijojë një fraksion të ri brenda kësaj force politike.
Deputetja deklaroi se nuk bën fraksion për show, duke shtuar se është një gladiatore me taka.
Monika Kryemadhi theksoi se ka vendosur të mos bëjë më luftë pas 30 vitesh në politikë, por tashmë prioritet i saj është familja.
“A do të krijosh fraksion brenda PL, pasi Ilir Meta ditët e fundit ka deklaruar se do t’i lejojë me statut?”, u pyet nga gazetarët Monika Kryemadhi.
Ajo u përgjigj se: “Nuk besoj tek fraksionet, por vërtetësia e secilit prej nesh. Fraksionin Monika Kryemadhi nuk e bën për të bërë për show, jam gladiatore me taka, nuk kam turp as nga takat dhe as të vishem si grua, sepse jam grua, nuk jam burrë. Beteja e Kryemadhi ka të bëjë me rritjen e shumë figurave të reja. Në 30 vjet Monika ka qenë një gladiatore në arenën e luftës, e cila bënte shfaqje dhe neroni ngrinte gishtin, vrite ose lërë të jetojë. Pas 30 viteve Monika ka vendosur të mos bëj më luftë, por të shoh prioritete të tjera.”