Rubrika “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptar” në Tv Klan,
sjell këtë të diel një rast shumë të trishtë të një vajze 17-vjeçare,
e cila jeta e ka bërë të rritet para kohe.
Vajza quhet Denisa, e ndonëse është përballur me shumë sfida,
ajo mbetet po prapë e ëmbël dhe me një buzëqeshje në fytyrë.
Në një bisedë me moderatorin e programit, Ardit Gjebrea, ajo rrëfen historinë e jetës së saj.
Denisa tregon se edhe pse e vogël, ajo ka vuajtur shumë.
Sipas saj, kur mamaja ishte shtatzënë me të, për shkak gjendjes së keqe shëndetësore të babait,
ky i fundit kishte kërkuar që ta dështonin. Por mamaja kishte kundërshtuar dhe kështu, Denisa erdhi në jetë.
17-vjeçarja shprehet më pas se prindërit, si pasojë e kushteve të këqija,
e dërguan në “Shtëpinë e Foshnjes” në Durrës. Ndonëse Denisa arriti të kthehej sërish tek familja e saj, motra e vogël, e cila lindi më vonë, nuk e pati këtë mundësi.
Denisa: Mami ka qenë pa banesë. Që në moshën 6 vjeçe asaj i vdes e ëma dhe në moshën 9 vjeçe humbet mundësinë për të ecur si të gjithë të tjerët, se çalon. Pavarësisht asaj, mami mundohej i jepte gajret vetes që të ishte dikush, të punonte. Sepse kishte dhe 3 vëllezër, që duhet t’i shërbente vetë babai. Duhet të lante rrobat, duhet të milte lopën, gjithë punët e shtëpisë si një fshat. Pasi kaluan nga fshati erdhën në qytet me shumë vështirësi dhe mami u desh të martohej. Se kishte 3 vëllezër, me një shtëpi nuk mund të jetonin dot. Me shkuesi, u martua gjeti një burrë.