Një nënë me një sëmundje të tmerrshme që shkaktoi rritjen e mijëra tumoreve në të gjithë trupin e saj, ka folur pas heqjes së tyre, duke theksuar se ndihet vërtet bukur. Operacioni për heqjen e tyre zgjati përreth 60 orë.
Charmaine Sahadeo, 42 vjeç, nga Trinidadi, vuan nga sëmundja e rrallë neurofibromatoza NF-1, e cila bën që i gjithë trupi i saj, përfshirë gojën, gjoksin, të pasmet e organet gjenitale të mbushen me gunga tumorale.
Ajo e ka pasur këtë gjendje që kur lindi, por thotë se u bë ‘shumë më keq’ pas lindjes së fëmijës së saj të dytë rreth 20 vjet më parë, pas së cilës ajo filloi të zhvillonte ‘mijëra gunga’. Rritjet e tyre e ktheu përmbys jetën e saj, ndërsa Charmaine thotë se sëmundja shkaktoi prishjen e martesës së saj 18-vjeçare dhe i krijoi vështirësi të shumta financiare, pasi punëdhënësit tmerroheshin nga pamja e saj.
Asaj i është dashur të durojë komentet mizore dhe shikimet e të huajve për vite me radhë, dhe pas dy operacioneve në vendin e saj vendosi se duhej të kërkonte më shumë ndihmë jashtë vendit, duke nisur mbledhje fondesh.
Pas vitesh pritjeje, ajo më në fund gjeti Dr Ryan Osborne, kirurg i njohur i kokës dhe qafës me qendër në LA, i cili ishte i vendosur ta ndihmonte atë të kapërcejë atë që shihet gjerësisht si një nga rastet më serioze të neurofibromatozës në botë.
Gjyshja udhëtoi 4000 milje për operacionin që ia ndryshoi jetën, i cili e ka lejuar të marrë frymë më lehtë, i ka mundësuar të ecë dhe të luajë me mbesën e saj dhe bën që të ndihet si një grua e re.