CNA TV ka në fokus promovinin e personazheve më të veçantë të qytetit të Korçës e më gjerë. Një tjetër profil interesant është ai i Elda Zavalanit.
Pjesa më e madhe e qytetarëve korçarë e njohin kush është Elda por ne e sjellim këtë reportazh për të gjithë shikuesit e televizionit tonë.
Prej më tepër se 30 vitesh Elda ushtron profesionin e bukur të farmacistes, një profesion që për të është e gjithë jeta.
Elda na ka pritur në farmacinë e saj që ndodhet në Bulevardin Republika të qytetit dhe me shumë kënaqësi pranoi që të ishte pjesë e këtij reportazhi.
Duke buzëqeshur dhe duke shfaqur shumë pozitivitet Elda e përshkruan shumë thjesht veten e saj për të gjithë ata që nuk e njohin.
Ajo thote se meritat dhe frazat për të përshkruar një individ duhet t’i thonë njerëzit e tjerë dhe jo vetë ajo.
Zgjedhja e profesionit si farmaciste
Zgjedhja e profesionit të farmacistes nuk ka qënë rastësi për Eldën. Ka qënë ëndrra e babait të saj që ka dashur të jetë farmacist në ato vite por në pamundësi të realizimit të kësaj ëndrre, dëshirën e tij e realizoi Elda.
Elda tregon se e dashuron këtë profesion për shkak se është pranë njerëzve dhe kujdeset për shëndetin e tyre që është gjëja më kryesore në jetë.
Ndër të tjera ajo shprehet se ka marrë kënaqësi nga vlerësimet e klienteve por nga ana tjetër ka përjetuar edhe vuajtjet e tyre duke mbajtur brenda vetes edhe dhimbje.
Normalisht që nuk mund të mos e pyesnim Eldën për një nga historitë që ajo veçon si një ndër historitë më mbreslënëse.
Krahas kësaj historie të bukur Elda përmend edhe vlerësime që ka marrë nga të moshuar dhe fëmijë po ashtu edhe persona që Elda u ka dhënë ndihmën e shpejtë në aksidente të vogla në rrugë, raste hipertensioni etj.
Krahas të qënurit farmaciste Elda ka pasion artin, kulturën, letërsinë, kinematografinë, pikturën , pra artin në përgjithësi.
Ajo tregon se prej shumë vitesh ndjek çdo aktivitet kulturor që organizohet në qytetin e Korçës dhe jo vetëmnpasi kujton se më herët së bashku me bashkëshortin shkonin në Tiranë për të parë shfaqje të ndryshme teatrale apo edhe koncerte.
Elda Zavalani qëndron shumë pranë miqve të saj jo vetëm në jetën reale por edhe në atë virtuale. Facebook është një nga aplikacionet që ajo ka zgjedhur për të shprehur mendimet dhe opinionet e saj, duke sjellë edhe momente jetësore.
Ndërsa e pyesim Eldën për disa nga pengjet e saj në jetë apo një objektiv që do të arrijë në të ardhmen, me një çiltërsi që e ka vetë Elda, tregon se do të donte të kishte disa fëmijë jo vetë një.
Një tjetër peng i Eldës është mësimi i një instrumenti muzikor ndërsa plani i saj i largët është të botojë një libër pasi edhe shumë njerëz ia kanë sugjeruar.
Elda Zavalani është një nga personazhet më të njohur të Korçës, me një ndihmesë të pamasë për korçarët dhe jo vetëm, me vlera të paçmueshme që e bëjnë Eldën “aset ” të qytetit.
Në një kohë kur të gjithë mendojnë të lënë qytet e vogla dhe Shqipërinë, Elda e cila ka pasur rastin të jetojë për disa kohë në Kanada zgjodhi të rikthehet në vendlindje.