Mbrëmjen e 12 marsit një atentat rreth orës 19:30 në fshatin Grudë e Re tronditi Shkodrën. Ndaj Gjergj Ndërshtiqaj 28 vjeç student në Akademinë e Sigurisë dhe kunati i tij Gjon Nika 30 vjeç, u zbrazën 106 plumba nga persona ende të paidentifikuar.
Ndërshtiqaj dhe Nika mbetën të plagosur, teksa po udhëtonin me një makinë. Pas ngjarjes autorët mësohet se kanë djegur automjetin e tyre dhe të të plagosurve, ndërsa dyshohet se shënjestra ka qenë Gjon Nika.
Bëhet e ditur se studenti i akademisë së Policisë Gjergj Ndërshtiqaj mësohet se është vëllai i drejtorit rajonal të Drejtorisë së Transportit Rrugor Marjan Ndershtiqaj, teksa Nika është kunati i Gjergj Ndërshtiqajt.
Të plagosurit po marrin trajtim në spitalin rajonal të Shkodrës, teksa policia dhe forcat RENEA po hetojnë rrethanat e ngjarjes. Gjatë kontrollit të zonës, në afërsi të vendit të ngjarjes, policët kanë gjetur duke u djegur një makinë tip “Renault”, që dyshohet se është përdorur nga autorët.