Haram qumështi t’qoftë!
Ti në qeli të burgut dhe unë e mbuluar me dhe.
Kjo nuk ishte jeta që e kishim andërruar.
Po prap ma mirë që m’vrave se sa përditë që më shave.
Më nuk jam…
As s’ka kush ta hap derën kur kthehesh nga puna dhe as kush shqetësohet kur vonohesh të shtunave në klube nate.
Jo më s’ka kush ta shtroj sofrën e ta ngrohë çorbën.
Sonte, krejt bota po t’mallkojnë ty bir, po zemra ime edhe nga qielli po lutet t’jesh mirë. Ta fali prap ani Pse m’vrave, ta fali bir se jam nanë e zemra nanës mbanë pesha sa s’peshohen me asgjë.
Më rëndë m’ka ardh kur m’ke sha.
Kur m’ke thanë fjalë t’kqija se sa kur m’ke ra thikë. Se më s’kam veshë me t’nii.
Se unë e falënderoja Zotin që kam vesh për me ta ni zanin tek m’thirr nanë, por ti veshët mi keqpërdore se nga goja shumë fjalë t’rana nxorre.
Hiç sen s’kish ma vështirë se përditë me nije djalin tu t’than je e keqe e mshile gojën.
Hiç s’kish ma ran se sa me ju bo therr n’sy djalit e rejës.
Tash bile s’jam e nuk shoh e nuk nije.
Me nji qosh kam hangër e kam pije, ambël t’kam shikue
Me mall kohën qysh t’kam rrit e kam kujtue
Ma mirë që m’vrave se sa përditë që m’shave.
Unë s’jam vet.
N’kit vend k’tu në parajsë pasna shoqe plot për me kuvendue.
Njanën e paska vra burri.
Njanën baba.
Nja tjetër kunati.
E nja tjetër e paskan dhunue e masanej shpirtin t’lumit Zot ia paskan dorëzue.
Pasna shoqe boll.
E qe besa paska edhe me fmi.
Jo s’kisha besu që nji babë plumb fmijës n’bark t’nanës mundet me i ra, e me ia ndal rritën hala pa lulëzue.
Ani djal që m’vrave.
Ta fali prap se jam nanë e zemra nanës mbanë pesha që s’maten me kanar.
Ma mirë me m’vra se sa përditë me m’sha.
S’ki faj ti!
Faj kam unë që t’mbajta n’bark e t’rujta si sytë.
S’ki faj ti.
Se vet s’kam hangër e ty t’kam ushqye.
S’ki faj ti!
Faj kam unë që kur m’lindi qikë nxjerra lotë e kur m’linde ti, qita plumb se e solla ni trim me majt pushkë në kit botë.
S’ki faj ti jo, faj ka bota që ju duron.
Faj ka bota që gzohet veç kur lind djal.
Faj ka bota që i mson me rreh trimëri ty e sojin tand.
Se ka shumë si ti.
Mos u mërzit se unë shoqe k’tu boll po, po as ti vet s’je.
Ki shoqni!
Ki kriminel që me sakicë n’gjumë gruas kryt ia ka hjekë.
Ki kriminel që qikën e re e ka dhunu e masanej shpirtin e saj n’dhe e ka dorëzu.
Ki hala ki shoqni.
Ki që gruas në bark plumb i ka ra, e tybe kush za s’ka ba.
Tri ditë zgjat e përmendet vakia.
Sonte.
Nesër e masnesër.
Tani ja t’lirojnë se thojnë paska probleme mendore e ja nja 3 a 4 vjet dënojnë.
Unë e boj shpi varrin.
E ti me shoktë e tu shumoheni përditë.
Nasht që m’vrave.
S’po m’vjen keq.
Po, po m’dhem shpirti për ato që po i lë pas me frikën cila do t’jetë n’rend që u vra prej një dore mashkulli me u përmend.
Blerina Ademi Sahiti