Askush nuk i ka krejt…
Fill i vetëm po qëndroj në tavolinë, një expresso të shkurt dhe një cigare mes gishtave.
Edhe ashtu një plaku me rrudha çka i duhet tjetër se?!
Tashmë kam arritur moshën e shtyer, atë që asnjë se do dhe të gjithë duan ta arrijnë. I kam mbushur 73 vjeç.
Shumë vjet për t’u numëruar, duken ashtu sepse sot më duket se kaluan sa hap e mbyll sytë.
Sot, rri e mendoj me vete kush isha, kush jam ose kush do të jem.
Jetë sa e bukur aq e idhët u tregove. Të nis e të flas për ty, një libër s’mjafton.
Zotëri, ta ndërroj shpuzoren – kjo pyetje e kamarierit të lokalit ku po rrija më zgjoi nga mendimet e largëta që isha thelluar aq fort këtë mëngjes me shi krejt i vetëm në afërsi të dritares, i ulur në një nga kafiteritë e qytetit…
Kisha plot 40 minuta që isha i ulur aty dhe brenda atyre minutave vetëm tri veta më përshëndetën, të tjerët si njoha.
Të tjerët dukeshin shumë të lumtur, burrë e grua me fëmijë, shoqe me shoqe, gjimnaziste e bile edhe pleq të shtyer në moshë pash atë ditë për ato minuta sa po pija expresson time… Dukeshin të lumtur të gjithë ata që pash, të buzëqeshur sikur mos ta kishin asnjë hall nga jeta.
Po, zaten asnjë s’e sheh brendinë e tjetrit, prandaj edhe na duken të tillë.
Ulur, afër ishin dy burra.
E pak më tutje dy zonja tjera.
Tavolinat e lokalit aq afër njëra-tjetrës sa e kishe të pamundur mos ta dëgjoje aty këtu ndonjë pjesë nga biseda e tyre, ani pse hallet e tua të mjaftonin sa për t’mos i bërë thashetheme tjerëve, por megjithatë për një çast ishte bukur, se pash se kishte edhe tjerë nga soji im, aso që diçka i mundon dhe nuk janë të lumtur.
Oh, Kaltrinë deri vonë djali s’më është rahatuar dhe gjithë natën burri ka gërhatur si të isha krejt vetëm me djalin dhe sikur mos t’më mjaftonte e gjithë kjo që në mëngjes vjehrra u ankua se s’po i përfundoj punët e shtëpisë ashtu si duhet.
Jam e lodhur vërtetë dhe sikur ta dija se kaq vështirë do të ishte të bëhesha nanë, do të mendohesha shumë…
Ja, çfarë hallesh diskutonin dy zonjat që kisha afër…
Të dyja ishin zonja, madje të veshura me shumë elegancë ama në sytë e të dyjave shihej trishtim e lodhje nga jeta.
Mendova me vete, prandaj edhe po ndodhin shumë divorce tash, se gjithë këto të mira po ua sjellë jeta dhe prap po ankohen, s’po munden t’i përballojnë madje as kënaqësitë e pagjumsisë që sjellë një fëmijë.
Shyqyr, që s’kanë jetuar në kohët tona këto se me gjithë këto ankesa besa as burrat e asaj kohe s’do t’i mbanin.
Qeshesha vet me veti me mendimet e mia…
Plot 51 vjet martesë kisha mbushur me të shoqen time, e habitesha qysh ende ndjeja dashuri për të dhe më mungonte sa herë isha jashtë shtëpisë, ani pse brenda shtëpisë herë pas here edhe ajo ma çante kokën me llafe koti.
Por, vet natyra i ka krijuar gratë të atilla, të flasin shumë e neve burrave të gjejmë arsyetime për kokëçarje e të dalim për qetësim kishe t’vetëm për kafe.
Zotëri, po të bën telefoni, më thirri njëri nga burrat që ishin ulur afër…
Aloo.
Alooo.
Ani oj e g’zume a veç bukë me ble a edhe diçka tjetër.
Plaka, paska qenë, mirë që m’kallxove se kish nis lufta n’shtëpi, pse s’ia hapa me kohë a mos po e tradhëtoj me dikend, ia ktheva si shenjë falënderimi burrit që më bëri za për telefon.
Qeshi si pohim dhe përsëri vazhdoi bisedën me shokun e tij në tavolinë.
Edhe unë gati sa po e përfundoja kafen e dytë e cigaren e shtatë për atë mëngjes.
Thuajse krejtve ia shkrova e ia dëgjova historinë e jetës, veç times kapak i vura. Të paktën këtë mëngjes u përpoqa ta harroj timen.
Idhnimet e mia e mërzitë e mia…
Krejtve këtë mëngjes ilaç i gjeta për brengat e tyre në mendjen time, veç times jo.
Kisha mbetur vonë për jetën time, ose s’dita ta jetoj si duhet ose s’pata mjaftueshëm.
Krejt çka dhashë ishte dashuria pa kushte, por përveç për gruan time për asnjë tjetër dashuria s’mjaftoi.
Kërkuan më shumë e s’kisha.
Kishim 5 fëmijë për gjithë këto vite martesë. Tre djem e dy vajza. Me shumë mundime i kishim rritur e me shumë dashuri. Gruaja punonte punë dore e shiste për të ma ndihmuar mua në barrën e gjithë muajit, ndërsa unë isha mësues dy fshatra më larg fshatit tonë. Do të thuani mësues rroga mirë por 5 fëmijë e qe besa edhe prindërit gjallë ishte vështirë t’ia kalonim, ani pse baba, rahmet shpirti i pastë merrte penzionin në atë kohë, po megjithatë jeta në fshat ishte e vështirë. Kishim shumë mysafire e besa edhe bija shumë, sa motra të mia e sa bija të babës. Por, kurrë kushtet s’kishin qenë arsye për me u fjalos me gruan time, as mrrolat kurrë s’ia shihje asaj, as atëherë kur nana ime e ndjerë herë pas herë i lëshonte aty e këtu ndonjë fjalë.
Gjithmonë, ishte jorgan i së keqes. Prandaj edhe sot e doja njëjtë si ditën e parë ndoshta.
Pesë fëmijë i rritëm bashkë me të. Se pas martese prindërit s’jetuan edhe gjatë.
Pas 7 vitesh më pati vdekur baba dhe 9 muaj pas tij nana.
Po, pesë fëmijë kishim rritur bashkë. Bashkë kishim hangër në sofër e bashkë i kishim pastruar në banjo. Bashkë i kishim ndërruar rrobat kur lageshin nga shiu e bashkë ia kishim pastruar fytyrën nga djersët e korrikut. Kurrë me idhnime jo. Se ishin fëmijët e të dyve dhe ishim gëzuar për secilin veç e veç.Për çdo bajram i blenim veshje të reja, ani pse ishin 5 fëmijë, asnjërin asnjëherë se dalluam. Natën e Bajramit më kujtohet kishte shumë gëzim e jo sikur bajramat e sodit. Kishte gëzim e emocione, flinin fëmijët për skej me veshjet e reja që mezi prisnin t’i vishnin në mëngjes.
Kishim shumë dashuri mes vete.
Kishim dashuri derisa u shfaç teknologjia a lakmia…
Si të duash quaje, por sot kur kam shtëpinë dy katëshe me oborr dhe një veturë në garazhdë, përveç zërrit të televizionit dhe zhurmës që krijojnë lugët teksa i përziejmë çajat me gruan, mbrëmjeve asnjë za tjetër s’dëgjohet.
As za i fëmijëve të mi dhe as za i fëmijëve të tyre.
Djali i madh, Agroni u martua i pari, sa gëzim patëm përjetuar, sa dasëm t’madhe i patëm bërë. Nusen e kishte zgjedhur vet dhe ne vetëm e kishim miratuar. Edhe vet kishim qenë të ri dhe s’donim të ishim pengesë e tij në asnjë vendim. Ani pse shumë herë ishte i ngutshëm në vendime dhe gabonte, ne vetëm e mbështesnim. S’donte madje as t’i përziheshim. Ndjehesha keq për gruan time, se natën vonë kur mendoja se flinte, ajo derdhte lotë në heshtje për secilën fjalë të rëndë që Agroni ia thoshte ditën. Pa të drejtë bile. Shpesh e qortoja, por ishte e kotë. Evladi në dhé të fut, duron shumë prindi për evlad. Pas një vit e gjysmë martesë doli me qira nga shtëpia, se gruaja e tij donte më shumë hapësirë për veti e qe besa ne vërtetë ishim bërë shumë në atë shtëpi, ani pse ishte shtëpia e madhe mjaftueshëm. Qau shumë gruaja atë natë, të paktën të prisnin ta martonim Afrimin e pastaj të dilnin më tha me gjysmë zemre.
Ishte ditë e martë, e mbaj mend ende, kur u përshëndetëm me ta, bile gruaja i tha: Agron kur të duash, dhomën e ke e shtëpia ja ku është, kthehu djali jem.
Agroni, si ai qysh dinte ta rëndonte, ia ktheu: cila shtëpi oj nana jem, me qenë mbarë e mirë më kishit martu e më kishit ba me banesë e s’kishit derdh lotë pse po dal.
U përbiva fort. Se kjo jetë po ditka ta kthejë të kundërtën e asaj që pret. Dikur përditë i blija çokollada atij se i donte shumë e bile gjithmonë edhe si fëmijë lakmonte shumë, pjesën më të madhe e merrte për veti, e sot ja me çfarë medalje më kthehet jeta mua.
Edhe dy vajzat pa kaluar dy vjet nga largimi i Agronit janë martuar. Njëra afër me shtëpi e tjetra në Itali. Njëra u martua me shokun e saj të shkollës e tjetrën e msitnuam.
Shyqyr Zotit asnjërës gajlen s’ia kemi, ani pse i shohim rrallë. Ajo në Itali njëherë në vit vjen ndërsa kjo afër nesh punon e me arsyetimin se po lodhet shumë s’po gjen kohë me na vizitu më shpesh se njeherë në dy javë.
S’i bënim za asnjërës ani pse mbrëmjeve shpirti na digjej për me dëgju ndonjë të qarë fëmije ose ditën me marr në thue në lodra fëmijësh.
Dy djemtë e vegjël…eh…
Afrimi e Naimi, ehhh…
Afrimi kishte dal në të zezën në Gjermani, gjoja për një jetë më të mirë dhe atje ishte përfshirë me disa grupe që mirreshin me punë jashtë ligjore dhe tash e 4 vjet ishte në burg. E kanë dënuar me 11 vjet. Çdo të mërkurë na telefonon. Bile gruaja rrin para telefonit, se ndodhi se hapi, dy mundësi s’i japin atij për të na telefonuar. Flet e flet…e pyet nëse ka hangër e ka pi, nëse po flen natën mirë. Afrimi shkurt i përgjigjet, shumë shkurt.
Eh, Naimi, më i vogli djal, e gëzimi i shtëpisë sa ishte i vogël… Sa ishte i vogël i pëlqente të ngjitej pemëve shumë, rrëzohej e i vrante gjunjët e ia puthte nana vet, i dukeshin puthjet e saja mehlem për varrë. Naimi, ishte më i dëgjueshmi djal. Bile i pati premtuar nanës vet se kurrë s’do ta linte, as për pasuri e as për grua. Ashtu edhe ka ndodhë. Kurrë nuk na është ndarë. Fotografia e tij ndodhet gjithkund nëpër shtëpi. Ndoshta po të ishte i gjallë përnjëmend s’do të na linte, por jeta s’po të pyetka…Ishte 19 vjeç kur e shkeli një veturë dhe përkundër përpjekjeve të mjekëve pas tri javësh vdiç.
Askush si ka krejt.
Pas secilës rrudhë në fytyrën time fshihet nga një mërzi e shumë lotë.
Edhe unë i dukem dikujt i pa halle, përditë expresso dhe cigare mes gishtave, por brendia digjet e zjarrin e ndjenë veç ai që e ka përjetuar.
Jeta asnjëherë s’po të jepka atë që punon ose atë që meriton.
Sa shtëpi pleqsh sot po ndërtohen. Sigurisht në njërën prej tyre do të ketë vend edhe për gruan time, kur unë ta lë… Vdekja rend s’ka ama ndoshta pse sëmundja po më përkeqësohet, kësaj here me rend do të vdesim. Ka një vit e gjysmë që jetoj me kancer në mushkëri e bile mjekët po habiten si ende jam në këmbë të mia. Ende gruaja qan natën kur mendon se unë kam fjet e se dëgjoj. E dëgjoj madje tek i lutet Zotit t’i merr jetë nga jeta e saj e të më shtojë mua, vetëm e vetëm mos të mbetet pa mua, e vetme.
Qan, njëjtë sikur qante dikur për fëmijët sa ishin të vegjël kur ishin të sëmurë.
Ndërsa, tash natën vonë asnjë s’kujtohet se është diku.
Asnjë s’kujtohet se unë po vdes, por bile Agroni një ditë më tha babë ishalla s’mbetesh i shtrirë se ilaçet shtrenjtë e krizë gjithandej hiç s’di qysh ia bëjmë, Afrimi në burg e unë me një rrogë e me qira vështirë se ia dal.
Atë ditë kisha derdh lotë për herë të para para gruas sime, po veç atë ditë, se më dhimbsej se s’kisha ku ta lë kur unë të vdes, e jo për fjalët e Agronit. Me të ishim mësuar.
Edhe ai tashmë kishte tri djem dhe kjo jetë sigurisht në një etapë të saj do ta bëntë ta përjetonte dhimbjen që na shkaktonte ai.
Zotëri…
Zotëri…
Hëë- iu përgjigja të riut që po më prekte në krahë.
Po të bën telefoni më tha.
Aloo…
Alooo…
Poo oj e g’zume qe po vij për 10 minuta jam në shtëpi.
Me na fal, i thash tri a katër të rinjëve që ishin ulë afër meje, në vendin ku ishin më herët ato dy zonjat, me na fal se po flas me za të lartë në telefon, s’di a s’po dëgjoj mirë unë apo s’po më dëgjon mirë gruaja…
Sa të kam borxh- i thashë kamarierit.
Nëse s’ki mos mi jep sot, më tha ai.
Të faleminderit i thashë po sot edhe bakshish kam me t’dhanë se veç thashethemeve të tjerëve ia bëra thashethemet edhe jetës tem.
I fortë je ti, baci Sefer ti, i fortë. Ma rrihte shpinën kamarieri i sjellshëm që më shërbente përditë duke dashur të më dispononte, teksa me pëllëmbat e dorës unë përpiqesha t’i fshija lotët që më rridhnin nga sytë pa dashje.
Eh, jeta!
Dikur, dikush tjetër do të ulet në karrigen ku sot u ula unë. Dikush tjetër do t’i kujtojë hallet e jetës. Dikush tjetër…
Sepse, në jetë askush nuk i ka krejt.
Shkruan: Blerina Ademi Sahiti