Shumë herë diskutimet që bëhen në Shqipëri për çështje të ndryshme, duke mos përjashtuar këtu as futbollin, janë realisht larg realitetit të njerëzve në vend. Shpeshherë ngrihet pyetja në vendin tonë: “Përse stadiumet tona nuk mbushen plot me tifozë për ndeshjet e Superiores?”.
Disa mendojnë se loja nuk është në nivelin e duhur, të tjerë shprehen se klubet nuk bëjnë mjaftueshëm për të afruar tifozët dhe të tjerë ia vendosin fajin skemës së re. Sigurisht që në momentin kur Tirana, Partizani apo klube të tjera bëjnë postime në rrjetet sociale: “Ne kemi nevojë për ty, eja në stadium”, kjo nuk është se do të ndryshojë diçka në mendimin e tifozit për t’u afruar me stadiumin.
Skema e re e Superiore nuk është një arsye e mjaftueshme për të mos shkuar në stadium. Në anën mediatike, interesi i Superiores nuk është në të njëjtin nivel si në sezonin e shkuar, ndikuar edhe nga viti i Kombëtares, por në anën e buxhetit të klubeve, llogaritë do të bëhen kur të jenë mbyllur të gjitha finalet e “Final 4”. Vetëm në momentin e fundit do të kuptohet nëse kjo skemë është më efektive se ajo e mëparshme.