Në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com është diskutuar për veprat lidhur me shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit, ndërkaq ka folur studiuesi i arkivistikës Jusuf Osmani, i cili ka publikuar shtatë veprat “Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit – Muhaxhirët” në 7 vëllime.
Në këtë intervistë është Osmani ka treguar rëndësinë e këtyre veprave, të dhënat e grumbulluara, vrasjet që ndodhën, shkatërrimin e pasurisë që është bërë, qëllimin e publikimit, përkthimin e dokumenteve e mbledhjen e arkivave të ndryshme.
Studiuesi Osmani thotë se në këto vepra janë detajet e dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku, vuajtjet e maltretimet e deri të vendosja e tyre në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë, Turqi e deri në vendet arabe.
Ai thotë se më këtë ka përmbushur kërkimet e tij për maltretimet që u ndodhën shqiptarëve që u dëbuan nga këto treva që sot janë në Serbi.
Osmani thotë se përfundimi i shtatë vëllimeve ka kërkuar një përkushtim të madh, në një kohë të gjatë prej 20 vitesh.
“Kam hulumtuar dokumentet arkivore në arkivat e vendeve të rajonit dhe Turqisë, kam hulumtuar literaturën e paktë që është botuar për këtë temë, por edhe kam vizituar vendbanimet ku janë vendosur muhaxhirët duke përfshirë Turqinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe mos të flasim më Kosovën”.
Studiuesi i arkivistikës thotë se në libra janë dokumentuar edhe tapitë e pronave në Sanxhakun e Nishit, pastaj rrëfimet e të dëbuarve që janë përcjellë brez pas brezi.
Ai thotë se ideja për këto libra ka lindur pasi që duke bërë kërkime për veprat “Vendbanimet e Kosovës” ka vërejtur se janë shumë vendbanime që popullohen nga muhaxhirët.
Osmani ka zbuluar të dhëna interesante ku thotë se në Sanxhakun e Nishit ka pasur 716 vendbanime me shqiptarë.
“Nga këto 716 vendbanime, 416 vendbanime kanë qenë të pastra shqiptare, derisa të tjerat kanë qenë të përziera me popullatë shqiptare, serbe, turke, hebreje, çerkeze e rome. Shqiptarët në Nish kanë jetuar në një tërësi prej 10,972 km2”.
Hulumtuesi thotë se ka hasur në dokumente ku shqiptarë autoktonë ka pasur edhe në Pashallëkun e Beogradit.
Autori i shtatë vëllimeve ”Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit – Muhaxhirët” thotë se ai me ndihmën e bashkëpunëtorëve ka arritur deri në një pikë të hulumtojë për këtë temë, por sipas tij duhet edhe ndihma e shtetit.
Osmani thotë se ndërkombëtarëve duhet t’iu tregohet se shqiptarët janë shtri deri te vendbanimi i quajtur “Katun”, i njohur edhe si Molla e Kuqe.
Osmani në këtë emision me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka treguar se në këto vepra janë detajet e dëbimit, vuajtjet e maltretimet e deri të vendosja e tyre në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë, Turqi e deri në vendet arabe.
Ai thotë se më këtë ka përmbushur kërkimet e tij për maltretimet që u ndodhën shqiptarëve që u dëbuan nga këto treva që sot janë në Serbi.
Osmani tregon se vendbanimet shqiptare në Sanxhakun e Nishit u zbrazën brenda vetëm dy muajve.
“Në dhjetor të vitit 1877 dhe janar të vitit 1878 u dëbuan më shumë se 250 mijë shqiptarë. Ata pësojnë shumë nga luftërat, dhuna, terrori. Sipas disa informatave rreth 70 mijë banorë shqiptar kanë pësuar në atë luftë. Ato territore pushtohen menjëherë nga Serbia dhe kolonizohen…Në Medvegjë janë 52 vendbanime dhe që të gjitha kanë qenë të banuara nga shqiptarë. Një vendbanim Lece ku ka qenë një xeherore kanë ardhur disa xehetarë serb dhe kanë banuar aty”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Studiuesi thotë se Toplica e Prokuplja kanë qene vendbanime që edhe vet serbët i kanë quajtur “çerdhe e shqiptarëve”.
Osmani thotë se qëllimi i librave është që të paraqiten fakte dhe të dihet e vërteta historike e këtyre trojeve.
Studiuesi thotë se burimet serbe janë gjithmonë të njëanshme për këto ngjarje.
Ai thotë se popullata e Sanxhaku gjeti strehim në Kosovë, Preshevë, e deri në vise të largëta të Turqisë.
“Ka të dhëna që këta shqiptarë kanë arritur deri në Siri e Jordani. Mos ta flasim për Turqinë ku ka fshatra të tëra që 80% e tyre kanë prejardhje shqiptare”, tregon ndër të tjera Osmani.
INTERVISTA E PLOTË: VIDEO