Në 10 Prill transmetuam denoncimin e qytetares Albana Frankenhauser, e cila tregoi, se ka qenë e martuar me një shtetas gjerman dhe pas divorcit ka mbajtur mbiemrin gjerman, pasi jeton në këtë shtet.
Pasi ka bërë njohjen e divorcit në Shqipëri, i kanë kthyer mbiemrin e vajzërisë me pretendimin, se nuk është shprehur gjykata e Gjermanisë.
Pas shumë peripecive, Albana e çoi çështjen në gjykatë dhe në Tetor 2022 çështja u pushua, pas komunikimit, se ajo do të kalonte në sistem me mbiemrin e huaj.
Por në Prill 2023 Albanës i është bllokuar pasaporta, pasi në sistem Gjendja Civile e ka kthyer sërish me mbiemrin e vajzërisë Lila.
Në këtë mënyrë Albana u detyrua të pajiset me pasaportë me mbiemrin Lila, pavarësisht, se gjykata i njohu të drejtën e mbiemrit gjerman.
Pas më shumë se 6 muajsh Albana thotë, se në Gjermani i kanë lënë mbiemrin Frankehauser, por i thanë, që mund të udhëtojë në Europë, por jo në Shqipëri.
Për Albanën, ky është një kufizim i pamundur, pasi ka prindërit e moshuar në Shqipëri.
Albana Frankenhauser: Për momentin ndodhem në Gjermani, pasi ika e detyruar të marr mbiemrin e vajzërisë. U gjenda këtu përsëri në një problem tjetër, sepse mbiemri nuk ndryshohet pa vendim gjyqësor dhe Gjermania nuk e njeh atë mbiemër. Në favorin tim më lanë kartën me mbiemrin Frankehauser dhe më thanë udhëto në Europë dhe mos hy në Shqipëri. U bën gati 6 muaj dhe janë zhvilluar 3 seanca dhe Drejtoria e Gjendjes Civile, nuk e di, pse zvarritet problemi im kaq shumë dhe nuk arrihet të jepet një vendim. Mua më duhet të vij në Shqipëri, pasi unë kam 2 prindër pensionistë dhe nuk mund të vij, e kam të ndaluar nga Gjermania hyrjen në Shqipëri. Kërkoj, që të jepet vendimi i ndryshimit të mbiemrit dhe Gjykata mos ta zvarrisë çështjen time, pasi jam në hall të madh dhe nuk futem dot në Shqipëri.
Aktet e drejtorisë së Gjendjes Civile kritikohen nga lektorja e të drejtës ndërkombëtare Evelina Çela, si të paligjshme.
“Në kushtet kur ne jemi kandidatë të BE-së synojmë të përmirësojmë legjislacionin, ta përafrojmë me ‘Acquis communautaire’, nuk mundemi ne të shprehemi mbi vendimin e një gjykate, ose prej një prej pikave të vendimit të gjykatës. Kur nuk është një gjë e tillë e shkruar qartazi nuk mund të marrim vendime që kundërshtojnë vendimin e gjykatës, aq më tepër të fillojmë një sërë procedurash për ndryshimin e mbiemrit”, tha ajo.
Nga ana tjetër, avokati Arben Llangozi shpjegon, se vendimi i gjykatës duhet të zbatohet dhe jo të interpretohet.
“Çdo lloj institucioni gjyqësor apo qoftë gjendje civile apo institucione të shtetit shqiptar kanë detyrimin të zbatojnë vendimin e gjykatës sipas nenit 451/a, kur thotë, çdo lloj institucioni i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të zbatojë vendimet e gjykatës dhe vendimet e gjykatës zbatohen vetëm për ato që janë shprehur. Pra gjendja civile në rastin aktual ka marrë atributet e gjykatës dhe ka zgjidhur një mosmarrëveshje, kur gjykata nuk është shprehur. E ka zgjidhur vetë gjendja civile në mënyrë absurde dhe abuzive”, tha ai.