Në vendin ku dikur ishte kampi i Tepelenës, sot janë rritur 300 selvi në kujtim të fëmijëve të vrarë, por edhe rrënojat e kazermave. E frikshme është dfhe historia që qëndron pas një çezmeje në këtë fushë.
Gazetari Blendi Fevziu, shoqëruar nga kryetarja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula tregoi se shumë fëmijë janë vrarë nga oficerët te kjo çezmë teksa tentonin të pinin ujë.
Blendi Fevziu: Mundoheshin të dilnin nga kazermat për të pirë ujë, ishin më të pabindurit. Dhe ka pasur midis tyre që janë qëlluar nga rojet dhe kanë humbur jetën, sepse shkonin për të pirë ujë tek çezma. Pas një momenti të caktuar nuk mund të largoheshe nga kazerma, pra nuk mund të dilje jashtë. Ishte me orar dhe dalja në oborrin e kazermës dhe tentativa për të shkuar për të pirë ujë mund të të merrte jetën. Sa veta humbën jetën këtu?
Gentiana Sula: Shifra është e pasaktë, por kemi disa statistika që flasin për humbje jete të mëdha. Bëhet fjalë për 300 fëmijë. Në më pak se 8 metra katrorë është një familje. Duhet thënë që kampi i Tepelenës në tipologjinë e vet është i rrallë edhe në Lindje.
Blendi Fevziu: Pse?
Gentiana Sula: Sepse është me tela me gjemba. Ndryshe nga sistemet më vonë, këtu ka qenë në formë burgu. Këtu më shumë se gjysma kanë qenë fëmijë nën 14 vjeç.