Avokatja Vjollca Pustina ka shokuar me deklaratën e dhënë në një intervistë të fundit duke shkaktuar indinjim dhe zemërim në rrjetet sociale. “Përdhunimet ndodhin rëndom”, u shpreh ajo, duke e trajtuar situatën e abuzimeve seksuale në vendin tonë si diçka normale, dhe jo si një shkelje të dhunshme të të drejtave të njeriut.
Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, avokatja u doli në mbrojtje meshkujve, duke justifikuar abuzimet seksuale dhe duke e kaluar peshën e fajit tek vajzat dhe gratë, pasi sipas saj “meshkujt, meshkuj janë”. Fjalët e saj kanë bërë xhiro në rrjet duke indinjuar dhe zemëruar opinionin publik.
Shifrat e abuzimeve seksuale kanë ardhur në rritje në vendin tonë. Vetëm para dy ditësh, u raportua një rast abuzimi në Vlorë, për një 26 vjeçare që u drogua dhe u përdhunua nga katër persona. Deklarata e avokates, Vjollca Pustina, vjen pas kësaj ngjarje të rëndë.
“Përdhunimet ndodhin rëndom ditë të premte dhe të shtunë, se vajzat e tejkalojnë pak me pijen. Kam rastisur katër herë ditëve të shtuna në urgjencën e spitalit dhe vinin vajza të reja të shpërfytyruara. Të shoqëruara që i sillnin faktikisht 3-4 djem.
Edhe vajzat duhet të jenë më të kontrolluara kur futen nëpër lokale apo shkojnë në disko nate. Se edhe meshkujt meshkuj janë”, tha avokatja ndër të tjera.