Arkeologu i njohur Neritan Ceka ngre tri teza interesante për ilirët dhe qytetërimin e tyre. A ka ekzistuar ky qytetërim para grekëve apo romakëve.
Në intrevistën për Report Tv, duke iu referuar kërkimeve arkeologjike, Ceka zbulon se qytetet ilire e kanë nisur jetën aktive para se të vinin në rajonet e Ilirisë helenët dhe romakët.
“Qyteti është trajtuar që herët në literaturën arkeologjike mbi Ilirinë e Jugut, por ai përfshihej gjithmonë në sferën e qytetërimit grek apo të ndikimit të tij. Mendimi arkeologjik shqiptar ka njohur një evolucion të vazhdueshëm gjatë trajtimit të problemeve që lidhen me rrugën e urbanizimit të Ilirisë.
Që në gjurmimet e para, gjeneza e qyteteve ilire është vështruar në këndvështrime të ndryshme. Disa e kanë parë të lidhur ngushtë me ndikimin e kolonive helene të bregdetit. Ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si nje fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas, që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit”, rrëfen ai.
Tezat e prof.dr. Cekës janë publikuar tashmë në librin “Në fillimet e qytetit ilir” i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Studimi monografik i arkeologut 70-vjeçar Neritan Ceka lidhet me rezultatet e gërmimeve nëpër qytetet ilire që përfshijnë një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut.