Një 34-vjeçar nga fshati Potom në Skrapar ka hyrë sot në banesën e shtetasit S.H. dhe ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në një nga muret e një prej dhomave të banesës, ku ndodheshin 4 pjesëtarët e familjes.
Mirëpo, asnjë prej plumbave nuk ka prekur familjarët të cilët më pas e kanë njoftuar policinë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të tyre dhe Forcave të Posaçme Operacionale, u bë i mundur neutralizimi i autorit dhe arrestimi i tij. Pas arrestimit të 34-vjeçarit, policia ka sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov dhe 21 fishekë luftarakë.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas konflikteve të shpeshta mes autorit dhe pronarit të banesës, shtetasin S.H., 61-vjeç, i cili nuk ishte dakord me lidhjen që kishte pasur vajza e tij me të.
I dyshuari kishte shkuar në banesë me kallashnikov për të rrëmbyer vajzën./oranews