Qëndrueshmëria në fe është mirësi dhe dhuratë prej Allahut
Në shumë ajete të Kuranit lexojmë sesi Allahu i Madhërishëm e atribuon tek Vetvetja udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë dhe se tërë çështja është në Dorën e Tij; zemrat e njerëzve janë në Dorën e Tij, i pastër dhe i lartë qoftë Ai, andaj kë do e drejton (e mbanë) në rrugë të drejtë dhe kë do e largon prej saj. Allahu i Lartësuar thotë:
“E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” (Nisa’, 66-68)
Pra, udhëzimi për në rrugën e drejtë është në Dorën e Allahut të Plotfuqishëm. Ai, i Lartësuari thotë:
“Kështu, ata që besojnë Allahun dhe mbështeten fort tek Ai, (ta dinë se) Ai do t’i fusë në mëshirën dhe mirësinë e Vet dhe do t’i udhëzojë drejt Vetes përmes rrugës së drejtë.” (En-Nisa’, 175)
“Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” (Junus, 25)
“Ata që i mohojnë shpalljet Tona janë shurdhë e memecë, janë në errësirë. Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.” (El-En’am, 39)
“Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” (En-Nur, 46)
“Ai është veçse këshillë për botët: për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!” (Et-Tekuir, 27-29)
Ajetet që flasin për këtë temë janë të shumta. Atëherë, udhëzimi është në Dorën e Allahut të Lartësuar, dhe atë ia dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij.
Së këtejmi, baza dhe themeli i parë i qëndrueshmërisë në fe është lutja e sinqertë drejtuar Allahut për kërkimin e saj, ngaqë ajo është në Dorë të Tij dhe Ai është Udhëzuesi në rrugën e drejtë. Prej lutjeve më të shpeshta të Profetit salallahu alejhi ue selem ishte:
“O ndryshues i zemrave, përforcoje zemrën time në fenë tënde!” Ky (përforcim i zemrës) është pikërisht qëndrimi i paluhatshëm në rrugën e drejtë.
Ummu Seleme tregon: “Tash: “O i Dërguar i Allahut! Zemrat po ndryshuakan?” Ai tha:
“Po. Zemra e secilit njeri është mes dy gishtave të gishtërinjve të Allahut. Kështu, nëse Ai do e mbanë/drejton atë në rrugë (të drejtë) dhe nëse do e Jargon prej saj.”1
Pra, qëndrueshmëria e njeriut në fe është në Dorën e Allahut dhe kush e dëshiron për vetveten le ta kërkoj këmbëngultas prej Tij. Në Sahihun e Muslimit2 lexojmë se Aishja radijallahu anha u pyet: “Me çfarë lutje Profeti salallahu alejhi ue selem e hapte namazin e tij gjatë natës?” Ajo u përgjigj: “Kur ngrihej për tu falur natën namazin e fillonte me këtë lutje: “O Allahu im, Zot i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit, Krijues i qiejve dhe i tokës, Njohës i të padukshmes e i të dukshmes, Ti do të gjykosh mes robërve të Tu për kundërshtitë që kanë pasur! Udhëzomë që ta kuptoj të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat ata nuk pajtoheshin! Vërtet, Ti e shpie në udhë të drejtë kë të duash.”
Kësisoj, me këtë dua ai e hapte çdoherë namazin e natës: “Vërtet, Ti e shpie në udhë të drejtë kë të duash.”
Pasi që kjo kërkesë, domethënë kërkimi i udhëzimit nga Allahu, radhitet ndër kërkesat më të rëndësishme dhe më të larta, Ai ua bëri obligim robërve që të kërkojnë prej Tij udhëzimin në rrugën e drejtë disa herë gjatë ditës dhe natës. Siç lexojmë në suren El-Fatiha:
“Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (El-Fatiha 6-7)
Disa dijetarë kanë thënë: njerëzit duhet të informohen se kjo është lutje; pra, kur t’i thua: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” atëherë e ke lutur Allahun me lutjen që ta ka bërë detyrim shtatëmbëdhjetë herë gjatë ditës dhe natës; po aq sa është numri i rekateve të namazeve të detyrueshme.
Që këtej, muslimani duhet ta ndjejë se ky varg është një lutje. Hoxha i Islamit ibën Tejmije Allahu e mëshiroftë thotë: “Kam menduar gjatë për atë se cila lutje është më e dobishmja, dhe arrita në përfundim se ajo është kërkimi i ndihmës së Allahut për kryerjen e gjërave që e kënaqin Atë. Pastaj këtë e gjeta në suren El-Fatiha:
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha, 5)3
Më tutje tha: “Njeriu është urdhëruar që vazhdimisht ta lus Allahun që ta udhëzoj drejt qëndrueshmërisë në rrugën e drejtë.”4
Me pak fjalë, prej teje kërkohet që vazhdimisht ta thuash këtë lutje, pra që Allahu të udhëzoj drejt qëndrueshmërisë në rrugën e drejtë; dhe kjo lutje është në suren El-Fatiha.
Hasen El-Basriu Allahu e mëshiroftë kur e lexonte ajetin: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” thoshte: “O Allah, Ti je Zoti ynë, andaj na dhuro qëndrueshmëri (në fe)!”5
1 Ahmedi (26576), Tirmidhiu (3522), i cili e vlerësuar për të mirë (hasen). Gjithashtu shih veprën Es-Sahiha të Albanit (2091).
2 Nr. (770)
3 Medarixhus-Salikin, e ibën Kajimit (1/78).
4 Iktidaus-Siratil-Mustekim, (1/83).
5 Përcjellë nga Taberiu në Tefsirin e tij, (21/465).
Dr. AbduRrezzak ibn Abdulmuhsin El BEDR
P. Perçuku