Institucionet e hetuesisë në Kosovë janë duke vazhduar me punën e tyre për të zbardhur detaje mbi përleshjen e armatosur të një shtatorit mes dy grupeve në Aktash të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë Themelore, motivi i konfliktit janë mosmarrëveshjet e mëparshme mes familjes Sekiraqa dhe asaj Gashi që njihen edhe si Capat.
Në këtë rast dyshohet se bëhet fjalë për një përleshje tjetër që kishte ndodhur më katër mars, në orën 10:00 të mëngjesit në rrugën Bedri Shala në Prishtinë.
Ku dyshohet se Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës që mbeti i plagosur të dielën, e kishte plagosur Pajtim Gashin, vëllanë e viktimës së të dielës.
Për këtë ngjarje, Prokuroria në Prishtinë, ngriti aktakuzë ndaj Shumbin Sekiraqës për veprat penale vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje ose posedim i paautorizuar të armëve.
“Shkumbin Sekiraqa, për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me personin i drejtohet me fjalët “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht në atë mënyrë që fillimisht Shkumbin Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të tij ku më pas e goditë në kokë me kondak të armës, me ç’rast i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e majtë”, Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Shkumbin Sekiraqa në deklaratën e tij në polici e kishte mohuar përfshirjen në rast e në prokurori ka deklaruar se i qëndron prapa deklaratës së dhënë në polici.
Ndërkohë që i dëmtuari, Pajtim Gashi, që atë kohë kishte mbetur i plagosur, ka deklaruar se ndodhej pranë biznesit familjar kur u sulmua.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande ai më ka thënë se je ka më këqyrë shtremtë, pas kësaj ka vazhdu me veturë, … , mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë, ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”.
Tutje Gashi ka treguar në Prokurori se nuk e njeh Shkumbin Sekiraqën dhe se nuk e ka takuar më herët, por që deklaron se personi ka shtënë 5-6 herë në drejtim të tij.
Ndërkohë që mungesa e një hetimi të thellë të kësaj ngjarje mund të ketë çuar deri tek përleshja e armatosur të së dielës.
Problematike në këtë pikë mbetet edhe siguria publike në Kosovë e që kjo cenohet nga grupet e tilla.
“Jemi në një situatë, ku situata e rendit publik në Kosovë po shkon drejt përkeqësimit ku kemi përleshje të tilla, për shkak të një mungese të një reforme në policinë e Kosovës e cila kish me vepru konform burimeve të inteligjencës”, sipas gazetarit Kreshnik Gashi.
Të dielën rreth orës 22:20, në Lagjen Aktash të Prishtinës pas një përleshje me armë zjarri mes dy grupeve mbeti një i vrarë dhe pesë të plagosur.
Në mbajtje janë pesë të plagosurit që janë të përfshirë në konflikt.